Një operacion i ndërmarrë nga Komisariati i Policisë Nr. 2 ka çuar në arrestimin në flagrancë të një 31-vjeçari, i cili dyshohet se po transportonte fara kanabisi me qëllim shitjen e tyre.
Aksioni, i koduar “Procesi”, u zhvillua në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen në fazë të hershme të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i rritjes së vigjilencës dhe intensifikimit të punës operative, shërbimet e policisë ndaluan një automjet në Rrugën e Dafinave.
Gjatë kontrollit, në mjetin që drejtohej nga shtetasi me iniciale R. A., u gjet një qese që përmbante rreth 1000 fara të dyshuara si Cannabis Sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 31-vjeçari, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë, ndërsa farat narkotike dhe automjeti tip “Benz” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve.



