Katër prokurorë të SPAK zyrtarizojnë kandidaturat e tyre, dhe deri më 19 dhjetor një nga ta do të pasojë për tre vitet e ardhshme drejtimin e SPAK.
Kandidatë për Kreun e SPAK: Profilet e Prokurorëve garues.
Në garën për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), katër emra dallojnë për eksperiencën dhe karrierën e gjatë në sistemin e drejtësisë, transmeton emisioni “FactCheck” në MCN TV.
Adnan Xholi është një nga kandidatët me përvojë të gjatë, i emëruar për herë të parë në vitin 2004. Aktualisht, ai shërben si prokuror në SPAK dhe mban edhe detyrën e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar, një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të strukturuar.
Klodjan Braho, me datë emërimi në 2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK. Ai ka kaluar një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit.
Një nga prokurorët më me përvojë në këtë garë është edhe Elvin Gokaj, i cili ka filluar karrierën e tij në dhjetor të vitit 2000. Ai ka qenë pjesë e SPAK prej kohësh dhe ka kontribuar në hetime të shumta me ndikim të lartë.
Ndërsa Doloreza Musabelliu, e emëruar në tetor të vitit 2004, është prokurore në SPAK dhe ka një rol të rëndësishëm në strukturën e prokurorisë së posaçme.
Këta kandidatë vijnë me një bagazh të pasur profesional dhe eksperiencë të thellë në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke qenë shpresa për një drejtim efektiv të SPAK në të ardhmen.



