Një 35-vjeçare është arrestuar nga Policia e Elbasanit, pasi është kapur duke transportuar emigrantë nga vendet e treta kundrejt përfitimit monetar. Sipas informacioneve të policisë, në pranga është vënë shtetasja me inicialet K.B., ndërsa për çdo emigrant ajo merrte 200 euro. Arrestimi i saj u krye në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan.
“Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetase po transportonte nga Korça, disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit”, njoftoi policia.
Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti, 410 euro që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe një aparat celular. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.



