
“Arrest me burg” ka vendosur Gjykata e Vlorës sot për Igli Madanin, 22-vjeçarin që shkaktoi aksidentin në aksin Levan-Vlorë, ku u shua familja Gushi.
Drejtuesi i automjetit tip “Audi” që shkaktoi aksidentin tragjik nuk ishte i pranishëm në seanca, por është paraqitur avokati i tij Remzi Mehmetaj me prokurë. Seanca është drejtuar nga gjykatësja Viola Canaj.
Avokati i të riut ka kërkuar një masë më të lehtësuar duke sjellë në vëmendje situatën e rënduar psikologjike të të riut pas aksidentit. Sipas tij, Madani, i cili ndodhet në spitalin e Traumës duke marrë kujdes shëndetësor, është në gjendje të rënduar.
Aksidenti i rëndë ndodhi të premten në mëngjes, teksa humbën jetën prindërit dhe dy vajzat e mitura që ktheheshin në Shqipëri nga Greqia për pushime.



