Një aksident i rëndë rrugor në fshatin Funarës të Librazhdit është kthyer në tragjedi, pasi ka humbur jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë 53-vjeçari Luan Çota, i cili kishte mbetur i plagosur rëndë.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e së hënës, pranë qendrës së fshatit Funarës, në Njësinë Administrative Orenjë të bashkisë Librazhd. Sipas të dhënave zyrtare, automjeti drejtohej nga Besnik Laçku, i cili dyshohet se po lëvizte me shpejtësi dhe, në rrethana ende nën hetim, ka humbur kontrollin e mjetit.
Makina ka dalë nga rruga dhe është përplasur disa herë me pemët anës saj, duke shkaktuar plagosjen e rëndë të dy personave që ndodheshin brenda saj.
Pasagjeri, 53-vjeçari Luan Çota, është transportuar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka mundur të mbijetojë. Viktima kishte qenë i përfshirë edhe më parë në një aksident tjetër, ku kishte pësuar fraktura në këmbë.
Hetimet paraprake bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Ai është ndaluar nga policia dhe ndaj tij kanë nisur procedurat ligjore për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasoja të rënda.



