
Largoi automjetin nga vendparkimi i zonës doganore të Kakavijës, pa autorizim dhe pa paguar detyrimet, vihet në pranga 59-vjeçari.
Si rezultat i kontrolleve të mbështetura te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe të kryera në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për veprimtari kriminale të kryera më parë, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kapën dhe ndaluan shtetasin P. T., 59 vjeç, banues në fshatin Kurjan, Fier.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi më 7 janar, ka larguar automjetin tip “Toyota”, nga vendparkimi i Degës Doganore Kakavijë, pa autorizim dhe pa paguar detyrimet.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 59-vjeçari transportonte me këtë automjet, bagëti të imëta.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.



