Vincenzo Del Monaco do të jetë ambasadori i ri i Prezencës së OSBE në Shqipëri, njofton Zyra e OSBE në Tiranë.
Vincenzo Del Monaco ka shërbyer për 23 vjet në shërbimin diplomatik italian. Përpara se t’i bashkohej Prezencës në Shqipëri, ambasadori Del Monaco ishte ambasador i Italisë në Armeni dhe, më parë, ambasador i Italisë në Malin e Zi. Gjithashtu, ai ka shërbyer në Pekin; në Përfaqësinë e Përhershme italiane në Bashkimin Evropian, në Bruksel; si edhe në kabinetin e këshilltarit diplomatik të ish-presidentit të Italisë, Giorgio Napolitano.
Ai u diplomua shkëlqyeshëm nga Universiteti “La Sapienza” i Romës; zotëron diplomën Master i Drejtësisë në Studimet e Larta Ligjore Evropiane nga Kolegji i Evropës në Bryzh; si edhe një diplomë nga École Nationale d'Administration.
Ambasadori Del Monaco mban titullin e Urdhrit të Meritës (Commendatore) të Republikës së Italisë, titullin Kalorës të Legjionit të Nderit francez dhe Urdhrin e Flamurit Malazez të rangut të dytë. Ai flet italisht, anglisht dhe frëngjisht. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.



