Aksidenti tragjik në Durrës, policia shton masat në rrugë: 22 mjete shpejtësi matëse, dronë dhe kamera

Aksidenti tragjik në Durrës, policia shton masat në rrugë: 22 mjete shpejtësi matëse, dronë dhe kamera

Pas aksidentit me pasojë vdekjen e dy fëmijëve dhe plagosjen e një tjetri, në aksidentin e së dielës në Durrës, policia ka shtuar masat e kontrollit në rrugë.

 

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, tha sot për mediat se policia ka ndërmarrë një sërë masash të reja për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe përmirësimin e monitorimit të qarkullimit. 

 

Në fokus është përdorimi i teknologjisë moderne, ku 22 mjete shpejtësimatëse janë kalibruar dhe strukturat e Policisë Rrugore janë pajisur me dronë, kamera, aparate fotografike, si dhe pajisje për testimin e alkoolit dhe drogës.

 

Në akset rrugore nacionale, patrullat nuk do të ndalojnë automjetet pa shkak, por do të monitorojnë qarkullimin përmes pajisjeve logjistike dhe patrullave të lëvizshme. 

 

Shkeljet e konstatuara do të ndëshkohen me masa administrative që do të pasqyrohen në kohë reale në platformën e-Albania. Ndërhyrja e policisë do të ndodhë vetëm në raste të sjelljeve të rrezikshme si shpejtësia e lartë, parakalimet e gabuara apo manovrat agresive.

 

Në zonat urbane, kontrollet do të përqendrohen te përdorimi i alkoolit, shpejtësia, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, mosvendosja e rripit të sigurimit dhe shkeljet ndaj këmbësorëve. Gjithashtu, parkimet e gabuara do të trajtohen me prioritet, duke përdorur edhe mjete ngritëse për automjetet që bllokojnë qarkullimin.

 

Sipas statistikave për 4-mujorin e parë të vitit 2026, janë arrestuar mbi 1000 drejtues mjetesh për drejtim në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. 

Mbi 82 mijë drejtues janë ndëshkuar për tejkalim shpejtësie, ndërsa mijëra të tjerë për parakalime të gabuara, mosvendosje rripi sigurimi dhe përdorim celulari gjatë drejtimit. 

 

Një numër i konsiderueshëm drejtuesish kanë humbur të gjitha pikët në lejen e drejtimit dhe do t’i nënshtrohen ritestimit.

 

Analiza tregon se shkaku kryesor i aksidenteve mbetet shpejtësia, ndërsa një përqindje e lartë e viktimave janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash. 

 

Policia Rrugore thekson se do të vijojë monitorimi i rreptë dhe ndëshkimi i shkelësve, veçanërisht i atyre që përsërisin shkeljet.

 

Në përfundim, autoritetet bëjnë thirrje për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit, duke theksuar se çdo sjellje e rrezikshme në rrugë do të ndëshkohet, me synimin kryesor mbrojtjen e jetës dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.

 

Sqarohet se punonjësit e policisë, kur evidentojnë dhe dokumentojnë me mjete logjistike, sjellje agresive të drejtuesve të automjeteve, do të veprojnë në zbatim të Kodit Rrugor. 

 

Gjithashtu, të organizojnë pika kontrolli në qendrat urbane, sipas kushteve të sigurisë, në drejtimin e shefave të seksioneve dhe shefave të sektorëve të Policisë Rrugore, sipas planeve të dedikuara me objekt konkret (kontrolle për pije alkoolike, përdorimin e celularëve, kaskave mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve, mjeteve debitore dhe “Alert”, etj.) 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy