Një konflikt i ndodhur në parkimin e “Syrit të Kaltër” në Sarandë, ka përfunduar me një person të arrestuar dhe tre të tjerë të proceduar penalisht.
Sipas Policisë, Salla Operative e Komisariatit të Sarandës mori njoftim për një konflikt në zonën e parkimit, ndërsa menjëherë në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë, të cilat shoqëruan në komisariat të gjithë personat e përfshirë.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se, rreth orës 12:00 të ditës së sotme, në vendin e quajtur "Parkimi i Syrit të Kaltër", gjatë një konflikti për pagesën e dëmit të shkaktuar nga humbja e çelësit të një biçiklete, shtetasi A. H., 43 vjeç, ka goditur me sende të forta shtetasin A. L., 27 vjeç, administrator i subjektit, i cili ka pësuar dëmtime (fraktura) dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet dyshohet se në konflikt janë përfshirë edhe shtetasit A. H., 45 vjeç, S. Ç., 20 vjeç.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, shtetasi A. H., 43 vjeç, banues në Kamëz, u arrestua në flagrancë për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje" dhe "Prishja e qetësisë publike".
Ndërsa shtetasit A. H., 45 vjeç, banues në Kamëz (vëllai i të arrestuarit), S. Ç., 20 vjeç, banues në Dërmish, Finiq, dhe A. L., 27 vjeç, banues në Stjar, Delvinë, administrator i subjektit, u proceduan në gjendje të lirë për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje" dhe "Prishja e qetësisë publike".



