
Mbërrijnë në Shqipëri “Ex Austere Wolf- AW24”, një pjesë përbërëse e trupave të “Corridor VIII Response” në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, i cili thekson se, “Korridori VIII” është një aktivitet që thekson rëndësinë strategjike të Shqipërisë në NATO si pjesë e Ballkanit Perëndimor.
Qeveria, në mbledhjen e të mërkurës, miratoi vendimin që lejon pjesëmarrjen e 825 trupave ushtarake të Britanisë së Madhe në stërvitjen e përbashkët dypalëshe “Corridor VIII Response”.
“Qëllimi i pjesëmarrjes të Forcave të Armatosura është demonstrimi i aftësive të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për koordinimin, sigurimin e teatrit të zbarkimit, pritjen dhe shoqërimin e forcave britanike në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendim.
Stërvitja zhvillohet në periudhën 18 shtator -13 tetor 2024, në afërsi të Bazës Detare të Pashalimanit, sipas teknikave amfibe dhe në Portin e Durrësit për trupat e Strategic Reserve Force (SRF).





