“Procesi” u kodua një operacion i policisë së Tiranës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza, gjatë të cilit u vu në pranga një person.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Procesi”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi J.(K.) S., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, në rrugën “Ramazan Kasa”, shërbimet e policisë kanë gjetur rreth 540 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 peshore elektronike dhe qindra qese farmaceutike për ndarjen në doza të lëndëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një aparat celular.
Aktualisht vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.



