
Policia e Tiranës njoftoi sot se një 57-vjeçar është vënën në prangat e policisë pasi ka ushtruar dhunë dhe ka kanosur me armë zjarri bashkëshorten e tij.
Gjatë ndërhyrjes, burri ka kanosur edhe punonjësit e policisë për shkak të detyrës por është neutralizuar vetëm pak momente më pas.
Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë, u parandalua një ngjarje e mundshme kriminale në familje.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit se në rrugën “Sabaudin Gabrani”, një shtetas po ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e kishte kërcënuar me armë gjahu, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërhyrja”.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– S. D., 57 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut (çifte).
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



