Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Shkodrës, pasi dyshohet se u konfliktuan me armë zjarri për motive të dobëta, duke qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit për t'u kanosur.
Një tjetër person është shpallur në kërkim për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".
Të arrestuarit janë N. L., 63 vjeç, dhe A. F., 27 vjeç, të dy banues në lagjen "Tre Heronjtë" në Shkodër.
Sipas hetimeve, dy fqinjët janë përfshirë në konflikt mbrëmjen e 25 qershorit 2026, duke përdorur armë zjarri.
Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar porta e oborrit të banesës së 63-vjeçarit, si dhe një automjet i parkuar në oborr.
Gjatë kontrollit në banesën e N. L., policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Ndërsa në banesën e A. F. u sekuestruan municion luftarak dhe katër kallëpe lënde të dyshuar plasëse, tritol.
Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim edhe shtetasi A. F., 26 vjeç, banues në Shkodër, i cili dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk e ka kallëzuar atë pranë autoriteteve.
Policia bën me dije se vijojnë kërkimet për kapjen e tij, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.



