Dy persona u ekzekutuan mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit, ndërsa kjo ngjarje ka nxjerrë në terren dhjetëra forca policie. Nëpër rrugët e Elbasanit janë ngritur postblloqe dhe po kryhen kontrolle tek automjetet e dyshimta.
Viktimat e këtij atentati janë Ardian Çollaku dhe Lulzim Bitri, persona të njohur për policinë. Çollaku dhe Bitri janë akuzuar më herët per vepra të ndryshme penale. Mbrëmjen e sotme ata mbetën viktimë e një atentati mafioz. Sipas burimeve nga policia, dy shtetasit kanë qenë në të njëjtën makinë. Autorët dyshohet t’i kenë ndjekur deri në momentin kur ata ndaluan në një servis, për t’i qëlluar më pas me breshëri kallashnikovi.
Fatkeqsisht, Bitri dhe Çollaku nuk arritën t’i mbijetonin plumbave. Por kush janë dy personat që mbetën viktimë e këtij atentati?
Në vitin 2015, Ardian Subashi (Çollaku) u arrestua pasi ishte i shpallur në kërkim nderkombetar.
Në atë kohë ai u arrestua me qëllim ekstradimi në Itali, pasi Gjykata e Modenas, e kishte dënuar me 23 vjet e 3 muaj e 17 ditë burgim për veprat penale te “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga nenet 110 dhe 600 te Kodit Penal Italian.
Edhe 40-vjeçari Lulzim Bitri, viktima e dytë e atentatit në Elbasan rezulton person me precedentë të mëparshëm penal. Burime nga policia bëjnë të ditur se ai është akuzuar më herët në një përplasje me armë zjarri në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Ngjarja në fjalë ka ndodhur tre vite më parë, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë. Mbi 40-vjeçarin nga Elbasani rëndonte akuza e vrasjes, e kryer në bashkëpunim si edhe akuza për mbajtjen e armëve të zjarrit dhe mjeteve shpërthyese.

(Lulzim Bitri)
Ndërkohë, grupi hetimor ka shkuar në vendin e krimit për të mbledhur të gjitha provat që do të çojne ne zbardhjen e ngjarjes. Ndërsa, ende nuk dihet kush ishte shënjestër e këtij atentati mafioz.



