
Dy policë të pikës kufitare të Hanit të Hotit janë vendosur nën hetim, pasi kanë lejuar të kalonte pa kontrolluar, një kamion nga Bosnja në të cilin u gjet 131 kilogramë drogë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajoni Shkodër - Lezhë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, për dy punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” për:
-B.Q., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit” dhe E.K., me detyrë Trupë Shërbimi / Kontrollor në vijën e dytë në Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit”.
Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas hetimeve të thelluara me metoda speciale, në lidhje me ngjarjen e datës 5 shtator, ku një kamion me targa të Bosnjë- Hercegovinës pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë është ndaluar nga policia malazeze.
Pas kontrollit të ushtruar në kamion janë gjetur 114 pako PVC, me përmbajtje të një lënde bimore të ngjashme me lëndën narkotike marijuanë, me peshë bruto 131.7 kg.
Aktualisht vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.



