
Një ngjarje e rëndë është raportuar këtë të shtunë në fshatin Ngjeqar të Fierit, ku një 56-vjeçar u arrestua nën dyshimet se ka përdhunuar një 20-vjeçare me aftësi të kufizuara. Sipas burimeve nga policia, Petrit Arapi, akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Familja e tij jeton në fshatin Ngjeqar dhe banorët e njohin si njeri i mirë, ndërsa 20-vjeçarja e përdhunuar ka rezultuar shtatzënë pas ekzaminimeve të kryera. Madje, infermierja e fshatit është marrë në pyetje lidhur me këtë ngjarje, ndërsa është shprehur se nuk ka dijeni rreth shtatzënisë së 20-vjeçares së abuzuar. Bashkëshortja e autorit të dyshuar e mori vesh ngjarjen nga media, pasi uniformat blu i kishin thënë se arrestimi po kryhej për drogë.
“Unë nuk di gjë për këtë që thoni ju. Erdhi dje policia dhe kërkoi në shtëpi për drogë. Pastaj më thanë që e morën burrin se kishin gjetur drogë tek tokat. Nuk kam dijeni për këtë akuzë dhe ne nuk kemi një fqinje me aftësi të kufizuara këtu. Upupu çfarë thua ti kështu?! Nuk dimë një gjë të tillë ne, burri im është kapur për drogë. Po jetojmë me djersë këtu dhe droga ishte gjetur tek toka. Erdhi policia dhe e mori. Kaq di unë”, është shpprehur ajo për media.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë tashmë është ngritur dhe një grup hetimor për verifikime të mëtejshme.



