Parandalohet një rast i shitjes së armëve të zjarrit, duke vënë në pranga dy persona në Tiranë
Si rezultat i operacionit të koduar “Heliks”, u ndaluan F. K., 18 vjeç dhe E. K., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit F. A., 28 vjeç dhe E. Z., 28 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, të organizuar si grup, shitnin armë zjarri në Tiranë, në Fushë Krujë dhe në Thumanë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre armë zjarri kallashnikov, dy armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë dhe në Krujë.
Aktualisht vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Gjithashtu, vijon puna për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim për këtë rast.



