
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, theksoi rëndësinë e kujtimit dhe nderimit të viktimave të një prej kapitujve më tragjikë të historisë njerëzore.
Ai u shpreh se ky është një moment për të kthyer sytë drejt tragjedive të kaluara dhe për të vlerësuar veprimet guximshme të atyre që i dhanë përparësi humanizmit ndaj errësirës së urrejtjes dhe dhunës.
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, kthejmë sytë drejt një prej kapitujve më tragjikë të historisë njerëzore, duke kujtuar me nderim viktimat e pafajshme dhe duke vlerësuar aktet e guximshme të atyre që zgjodhën humanizmin përballë errësirës.
Në këtë ditë reflektimi, nderojmë ndër të tjera edhe popullin shqiptar, i cili, i udhëhequr nga tradita e lashtë e mikpritjes dhe kodi i besës, shpëtoi duke i hapur dyert e shtëpisë qindra hebrenj nga përndjekja e pashpirt gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ministri Gonxhja theksoi gjithashtu heroizmin e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilët, udhëhequr nga tradita e mikpritjes dhe kodi i besës, shpëtuan qindra hebrenj nga persekutimi nazist, duke u ofruar strehim dhe mbrojtje.
Ky akt i jashtëzakonshëm i solidaritetit dhe humanizmit do të përjetësohet në muzeun “Besa”.
Heroizmi i shqiptarëve, një shembull i rrallë i solidaritetit dhe humanizmit, do të përjetësohet së shpejti në muzeun “Besa”, i cili do të ngrihet në zemër të Tiranës. Ky muze do të jetë më shumë sesa një hapësirë kujtese; do të jetë një urë mes së shkuarës dhe së tashmes, një homazh për guximin dhe fisnikërinë, një vend ku tradita e paqes, tolerancës dhe respektit për jetën njerëzore do të frymëzojë brezat e ardhshëm.
Po ashtu, ministri kujtoi se në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), ka nisur ndërtimi i Muzeut Hebraik në Vlorë. Ky muze do të shërbejë për të ndriçuar lidhjet historike dhe të jashtëzakonshme mes shqiptarëve dhe komunitetit hebre, duke sjellë në pah traditat e solidaritetit dhe humanizmit të shqiptarëve, si dhe lidhjet e tyre me hebrenjtë në nivel global.
Ministri i Kulturës vlerëson se përmes këtyre muzeve, Shqipëria do të flasë me një zë të veçantë për botën, duke dëshmuar se drita e humanizmit mund të triumfojë edhe në momentet më të errëta të historisë.



