Një aksident i rëndë u regjistrua mbrëmjen e sotme në Durrës, me pasojë vdekjen e një këmbësori pasi u përplas nga makina. Sipas informacioneve, ngjarja ndodhi rreth orës 18:45 në aksin rrugor “Sektor Rini-Shënavlash”.
Policia bën të ditur se viktima është një 52-vjeçar, ndërsa u përplas nga një automjet që drejtohej nga një 31-vjeçar. Si pasojë e përplasjes, si viktima ashtu sikurse edhe automjeti përfunduan në një kanal anës rrugës. Në vendin e ngjarjes shkoi zjarrfikësja dhe forcat e policisë. Kjo e fundit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit të rëndë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 18:45, në aksin rrugor "Sektor Rini-Shenavlash", një automjet me drejtues shtetasin R. K., 31 vjeç, ka përplasur këmbësorin shtetasin Gj. D., rreth 52 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.



