Forcimi i koordinimit dhe bashkëpunimit mes prokurorive dhe strukturave të Policisë së Shtetit, ishte në fokus të një takimi të zhvilluar sot mes Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela dhe drejtorit të “Bluve” Muhamet Rrumbullaku.
Dy drejtuesit vlerësuan pozitivisht nivelin e deritanishëm i ndërveprimit institucional në fazën hetimore, ndërkohë që do të ndërmerren hapa konkretë për rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave të hetimit. Ndërkohë shqyrtohen mundësitë për bashkërendimin e masave që do të rrisin efikasitetin dhe efektivitetin e hetimit për një sërë veprash penale.
Në takim u ra dakord për rëndësinë e harmonizimit të prioriteteve në funksion të mirëadministrimit dhe përdorimit efikas të burimeve njerëzore e teknike, duke synuar rritjen e impaktit të forcës goditëse të organeve ligjzbatuese ndaj fenomeneve kriminale që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.



