
Finalizohet pas një hetimi disajavor, operacioni policor antidrogë i koduar “Dealer” duke vënë në pranga një person i cili shiste doza të lëndës narkotike kokainë, në hotele të ndryshme në qytetin e Durrësit. Si rezultat i një hetimi disajavor, të ndjekur me metoda speciale, nga Policia dhe Prokuroria e Durrësit, në vijim të punës intensive gjatë sezonit turistik 2023, kundër krimeve në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Dealer”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë shtetasi Abdyl Kacaca, 32 vjeç, banues në Durrës. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Abdyl Kacaca, siguronte dhe shiste në hotele të ndryshme të qytetit të Durrësit, doza të lëndës narkotike kokainë. 32-vjeçarit iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza të gatshme për shitje, 1 automjet dhe 1 celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.



