
Reshjet e dëborës gjatë fundjavës në disa zona malore të vendit kanë bërë që në aksin Bogë-Theth trashësia e borës të arrijë deri në 40 centimetra.
Korrespondentja e “MCN Live”, Bendis Druni, raporton se grupet e punës ndodhen në terren për pastrimin e rrugës dhe për të shmangur bllokimin e qarkullimit.
Pamjet malore nga qarku i Shkodrës tregojnë se bora ka zbardhur gjithë zonën, duke filluar nga Qafa e Thirrës, e cila lidh Bogën me Qafë-Thirrën dhe më pas me njësitë e tjera malore, deri në Lëpushë, Vermosh dhe Razmë.
Reshjet kanë sjellë një impakt pozitiv tek vizitorët që kanë zgjedhur të shijojnë fundjavën me dëborë, megjithatë ka pasur edhe probleme të përkohshme në qarkullimin e automjeteve, pasi shumë mjete nuk ishin të pajisura me goma dimërore apo zinxhirë. Situata nuk ka krijuar bllokime afatgjata.
Edhe në aksin Hani i Hotit-Dogana Vermosh ka pasur reshje dëbore gjatë natës, në lartësi mbi 1000 metra. Dy borëpastruese në terren dhe aktualisht nuk raportohet problem për qarkullimin.
Grupe të shumta pune vazhdojnë pastrimin e akseve dhe sigurojnë vijimësinë e lëvizjes për banorët dhe vizitorët.
Autoritetet kërkojnë nga drejtuesit e mjeteve të jenë të pajisur me goma dimërore, ndërsa në disa segmente është hedhur edhe kripë për të shmangur ngricat dhe rrëshqitjet.



