Gjykata e Elbasanit ka caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj 40-vjeçarit Henrik Hoxhaj, i cili u arrestua para pallatit ku fshihej Nuredin Dumani.
Ndërsa ka vendosur “detyrim paraqitje” për të dashurën e Dumanit, 20 vjeçare nga Kosova, M.Hajdini.
Hajdini ka deklaruar sot para trupës gjykuese se partneri i saj i ishte prezantuar me identitet tjetër, dhe se nuk e dinte që kishte probleme me ligjin.
Nga dëshmia e vajzës sipas dosjes hetimore rezulton se M.Hajdini është gënjyer nga Nuredin Dumani që në fillim të njohjes së tyre pasi sipas saj, ai i është prezantuar me emrin Arvit Spahiu.
Fotoja në dokument ishte e tija, kurse emrin e kishte Arvit Spahiu. Siç mësohet nga dosja hetimore, kur familja e 20-vjeçares bashkë me të i kanë kërkuar Dumanit që të takojnë familjarët e tij, ai u ka thënë se të afërmit ndodheshin në Francë dhe jo në Shqipëri, rrjedhimisht nuk mund të takoheshin në atë moment. Pasi kishin lidhur kontaktet bashkë, ata vendosën që të informonin edhe prindërit e 20-vjeçares për lidhjen e tyre. Pas marrjes së “bekimit” nga ana e tyre, çifti ka filluar të bashkëjetojë
Sakaq, masa për bluzat e bardha që mjekuan Nuredinin në banesë, do të jepet nesër.
Nuredin Dumani është një nga personazhet më të rrezikshëm në Shqipëri, pasi akuzohej si vrasës serial, pasi ishte i implikuar në të paktën 7 vrasje.
Dumani u plagos pak ditë më parë pas një përplasjeje me armë në fshatin Papër të Elbasanit. Gjatë verifikimit të makinës tip “BMW” të lënë në vendin e ngjarjes, policia gjeti fishekë si edhe një shishe me benzinë, çka i bëri prokurorët të dyshojnë se ata ishin nisur për të kryer një atentat, porse ranë pre e një goditjeje me armë nga një tjetër grup.



