Detaje të reja kanë dalë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Roskovec, ku një person mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos pas të shtënave me armë gjahu.
Nipi i viktimës, ka deklaruar se konflikti ishte i paralajmëruar dhe se autori, Refit Buzi, 35 vjeç, kishte kërcënuar më herët ish-të fejuarën e tij me armë.
Ngjarja është e paralajmëruar disa herë. Personi është kapur disa herë. Policia e ka arrestuar, por më pas është liruar. E ka kërcënuar edhe vajzën me armë dhe i ka shkuar më herët te puna.
Ai tregoi se mëngjesin e sotëm u zgjuan nga zhurmat e të shtënave dhe njoftuan policinë.
Ishte mëngjes. U zgjova nga gjumi se dëgjova zhurma. U çuam të gjithë, dolëm në ballkon dhe dëgjuam të shtëna nga shtëpia e xhaxhait. I rashë në telefon policisë, por nuk u përgjigj.
Sipas të afërmit të viktimës, autori kishte qenë i lidhur me vajzën e familjes, por marrëdhënia mes tyre kishte përfunduar.
Kanë qenë të lidhur, janë ndarë dhe erdhi kjo situatë sot. Nuk kanë qenë të martuar, por të fejuar. Ai ka vrarë xhaxhanë dhe ka plagosur gruan e tij. Nuk e dimë gjendjen e saj.
Sipas informacioneve paraprake, Refit Buzi, 35 vjeç, ka qëlluar me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, 58 vjeç, i cili humbi jetën në vendngjarje. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe ish-vjehrra e tij, Belere Plaka, rreth 55 vjeçe, e cila u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas krimit, autori dyshohet se ka marrë me vete ish-të fejuarën e tij, duke e mbajtur peng. Policia vijon operacionin për kapjen e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



