
Një 36-vjeçare është proceduar penalisht, pasi braktisi dy vajzat e saj të mitur në Suedi, me qëllim për të fituar azil.
Policia Kufitare e Rinasi bën me dije se shtetasja me iniciale D.Ç., 36 vjeçe banese në Tiranë, ka braktisur dy vajzat e saj, konkretisht 13 dhe 15 vjeçe.
Në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet policore në Suedi, 2 shtetaset e mitura janë kthyer në Shqipëri.
Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha pikat e kalimit, për dokumentacionin, si dhe intervistime për përmbushjen e kushteve për lëvizjen drejt vendeve të BE-së apo vendeve të tjera, për të gjithë qytetarët.
Gjithashtu, do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me homologët e të gjitha vendeve të hapësirës SCHENGEN e më gjerë, për verifikimin, identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë atyre që braktisin të miturit, për qëllime azilkërkimi.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët të mos ndërmarrin asnjë veprim që ka si qëllim azilkërkimin, pasi shanset për të fituar atë janë zero. Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar ligjërisht të gjitha rastet e braktisjes së fëmijëve të mitur, jashtë vendit, me qëllim azilkërkimin.



