Doktorantët me kopje- Alarmohet Universiteti i Tiranës/ FactCheck zbardh dokumentin (VIDEO)

Doktorantët me kopje- Alarmohet Universiteti i Tiranës/ FactCheck zbardh dokumentin (VIDEO)

Teksa media raporton me dhjetëra raste të titujve e punimeve shkencore të bazuara në kopje. Emisioni “FactCheck” në MCN TV zbardh vendimin çka tregon se Universiteti i Tiranës është në alarm. Të gjithë titujt shkencorë nga studentët tek doktorantët do të kalojnë në filtrin e teknologjisë përpara certifikimit.

 

Prej vitesh në media publikohen raste dhe skandale të plagjiaturës, nga figura publike e deri tek zyrtarë e politikanë në punimet e tyre shkencore dhe doktoraturë.

 

E teksa skandali më i fundit zbuloi Universitetin ilegal të Zall Bastarit, Universiteti i Tiranës ka nisur kontrollin e të gjitha doktoraturave nëpërmjet sistemit të software-it Turnitin.

 

Nga dokumentet e siguruara nga emisioni FactCheck rezulton se tashmë ky vendim është aktiv dhe në filtër do të kalojnë:

 

Të gjitha punimet akademike dhe shkencore, duke përfshirë punimet e studentëve të ciklit të dytë dhe të tretë, artikujt shkencorë të stafit akademik, si dhe publikimet në revista apo konferenca. Çdo material i tillë duhet t’i nënshtrohet kontrollit antiplagjiaturë përpara vlerësimit apo publikimit, si pjesë e detyrueshme e procedurave akademike.

 

Kontrolli do të realizohet përmes sistemit të licencuar Turnitin, i cili gjeneron raporte mbi nivelin e ngjashmërisë së tekstit me burime të tjera. Megjithatë, universiteti thekson se përqindja e ngjashmërisë nuk përbën automatikisht provë plagjiature, por shërben si një mjet ndihmës që kombinohet me analizën cilësore nga strukturat akademike.

 

Procesi i verifikimit parashikon disa nivele kontrolli, duke nisur nga shqyrtimi paraprak në njësitë bazë, ngritja e komisioneve ad-hoc dhe deri te vendimmarrja përfundimtare nga Këshilli i Etikës dhe Rektori. Gjatë këtij procesi merren në konsideratë natyra e ngjashmërisë, konteksti shkencor dhe qëllimshmëria e autorit, duke garantuar një proces të drejtë dhe transparent.

 

Rregullorja parashikon gjithashtu klasifikimin e shkeljeve sipas nivelit të ngjashmërisë, nga raste pa shkelje deri te plagjiatura e rëndë, duke përcaktuar edhe masa disiplinore përkatëse, që variojnë nga korrigjimi i punimit deri te përjashtimi nga universiteti apo masa ndaj stafit akademik.

 

Nevoja për këtë ndërhyrje lidhet me rritjen e kërkesave për cilësi në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, si dhe me domosdoshmërinë për të parandaluar praktikat e pandershme akademike. Universiteti synon jo vetëm ndëshkimin e shkeljeve, por edhe edukimin e studentëve dhe stafit për respektimin e etikës dhe standardeve të kërkimit shkencor në një mjedis gjithnjë e më konkurrues.

 

Po çfarë është Turnitin?

 

Është një platformë ndërkombëtare software që përdoret gjerësisht nga universitete dhe institucione arsimore për të kontrolluar ngjashmërinë e teksteve dhe për të identifikuar rastet e mundshme të plagjiaturës. Ajo funksionon duke krahasuar dokumentet e dorëzuara me një bazë të dhënash shumë të gjerë, që përfshin publikime shkencore, libra, faqe interneti dhe punime të tjera studentore.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy