
Në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës kanë filluar gërmimet për trupa të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, gërmimet janë duke u bërë te varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës.
“Po sot paradite kanë rifilluar gërmimet te varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës”, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, në këto varreza dyshohet për trupa të personave të zhdukur gjatë luftës.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 rezultuan rreth 6 mijë e 500 persona të zhdukur.
Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri me tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Sipas autoriteteve në Kosovë ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.



