Policia e Shtetit ka shkuar mbrëmjen e sotme në banesën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Uniformat blu kanë shkuar për të zbartuar urdhër-arrestin e lëshuar tashmë nga SPAK ndaj Llalës, pas vendimit të dënimit me dy vite burg.
“Bazuar në faktin se vendimi i mësipërm i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është i formës së prerë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme, me datë 22.09.2021 ka nxjerrë urdhërin për ekzekutimin e këtij vendimi penal, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ish-kryeprokurori Llalla nuk ishte i pranishëm seancën e zhvilluar këtë të mërkurë, ndërsa Apeli vendosi të linte në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.



