
Një 31-vjeçare nga Kosova është gjetur pa shenja jete në ambientet e një hoteli në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në Durrës.
Sipas Policisë, viktima, e identifikuar me inicialet J.H., u gjet e pajetë një ditë më parë, ndërsa nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të jashtme që mund të kenë shkaktuar vdekjen.
Trupi i pajetë është dërguar për autopsi mjekoligjore, e cila pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
Në lidhje me këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj dy administratorëve të hotelit, shtetasve V.E., 38 vjeç, dhe A.Sh., 34 vjeç, të dy banues në Durrës.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se administratorët nuk kishin lëshuar kupon tatimor për dhënien me qira të dhomës ku qëndronte 31-vjeçarja, e cila dyshohet se ishte akomoduar në këtë hotel që prej muajit dhjetor 2025.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vlerësim të mëtejshëm, ndërsa hetimet vijojnë në disa pista dhe priten rezultatet e ekspertizës mjekoligjore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



