
Kompania OSHEE Group ka nisur fushatën e re të rekrutimeve për elektricistë, ku në fokus do të jenë të rinjtë deri në moshën 35-vjecc. Kjo është thirrja e dytë e aplikimeve për 240 vende të reja pune në pozicionet elektricist të linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët, elektricistë të linjave të tensionit të lartë dhe operatorë nënstacioni.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, së bashku me administratorin e OSHEE, Enea Karakaçi dhe administratorin e OSSH, Blendian Dalipi, gjatë prezantimit të kësaj nisme, theksuan rëndësinë e procesit të rekrutimeve të reja që synon rigjenerimin e kompanisë, veçanërisht punonjësve të terrenit.
Duke nisur që sot ne hapim një thirrje për vendet e punës që kanë mbetur vakante që janë rreth 240 dhe këto vende pune vakante sigurisht duhet të popullohet, por tani me një ndryshim.
E patëm thënë këtë që në krye të herës që mos na paragjykoni, sepse ne do të tërheqim moshat e reja edhe më pas do të vazhdojmë edhe me mosha më të pjekura.
Kështu që kjo thirrje shkon deri në moshën 35- vjeç dhe do të qëndrojë e hapur për 1 muaj.
Duke shprehur mbështetjen për punonjësit e terrenit, të cilët shërbejnë në çdo cep të vendit, pavarësisht vështirësive të motit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se të rinjtë që i janë bashkuar OSHEE dhe do t’i bashkohen edhe në të ardhmen, do të sjellin një frymë të re, duke u gërshetuar edhe me stafet që prej vitesh shërbejnë pranë kësaj kompanie.
Unë besoj që edhe të rinjtë që do vijnë do të kenë mundësinë që të sjellin me vete një frymë të re. Një frymë të re pasi OSHEE është një ndërmarrje e cila rigjenerohet qoftë nga idetë, qoftë nga produktet, qoftë nga reformat edhe nga stafi dhe i kemi parë frytet e para të një reforme të thellë që kemi nisur në fillim të vitit të kaluar dhe padyshim do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Ky është një vit ku parashikohen shumë investime.
Gjatë muajit tetor 2023, OSHEE hapi thirrjen për të afruar dhe punësuar të rinj deri në moshën 25 vjeç për pozicionet elektricist dhe faturist që kaluan në një proces të imtësishëm testimi dhe përzgjedhjeje.
Administratori i OSHEE, Enea Karakaçi tha se vetëm gjatë muajit Shkurt u punësuan 60 më të mirët në qytet të ndryshme të Shqipërisë; Tiranë, Has, Korçë, Lezhë, Shkodër, Pogradec, Burrel, Peqin etj.
Sipas tij, këta të rinj u punësuan dhe po trajnohen më brenda OSHEE Group, që aktualisht është një ndër punëdhënësit më të mirë në treg, përsa i përket menaxhimit, nivelit të pagave dhe mundësisë për zhvillim në karrierë duke qenë se punëson mbi 7 mijë të punësuar.
Administratori Karakaçi theksoi se kompania OSHEE udhëhiqet nga përkushtimi për të ndërtuar një korporatë/shoqëri solide dhe efecientë, ndaj prioritet mbetet punësimi i individëve të kualifikuar qoftë nga sistemet e arsimit profesional qoftë nga arsimi universitar.
Si një punëdhënës i fuqishëm, OSHEE do të përforcojë bashkëpunimin me sistemin arsimor profesional dhe universitar për të përputhur kërkesën dhe ofertën tonë për të ardhmen për forcat punëtore të kualifikuar.
Kjo do të thotë se do të afrohemi ngushtësisht me sistemin arsimor në ndërtimin e programeve të ardhshme për teknikët, elektricistët dhe inxhinierët, në lidhje me nevojat e aftësive dhe numrin e talenteve të nevojshme.
Ky bashkëpunim, tha Karakaçi, do të përforcohet më tej me disa programe zyrtare dhe bashkëpunim të ngushtë për kryerjen e praktikave profesionale në OSHEE Grup, workshopeve të rregullta në shkolla me profesionistët e OSHEE grup si dhe me programin graduate që do tërheqë ekselentët nga arsimi universitar.
Për t’u bërë pjesë e kësaj fushate rekrutimi të gjithë të interesuarit mund të paraqesin aplikimet e tyre përmes adresës së email dbnj@oshee.al.



