Arbis Vjerdha, anëtari i këshillit bashkiak në Shkodër që është njëkohësisht edhe pronari i një prej lokaleve që u dogj dy ditë më parë, të cilin e kishte marrë me qira, ka folur rreth kësaj ngjarje.
Në një deklaratë të bërë për mediat, Vjerdha ka hedhur poshtë teorinë e Policisë se kjo ngjarje, ishte shkaktuar si pasojë e shpërthimit të ndonjë bombole gazi.
“Përgjegjësi i zjarrfikësve ka bërë aspak deklaratë profesionale. Ka specialistë të kriminalistikës që vërtetojnë nëse ka pasur apo jo bombol gazi. Në lokalin tim dhe lokalin tjetër nuk ka pasur bombol gazi. Ajo ishte një dorë dashakeqe ku policia duhet ta gjejë se me kë e kanë pasur me mua apo me lokalin tjetër. Këmbët e bazamentit te ashensorit janë të plasura dhe shihet thjeshtë se është eksplozion. Unë them që ka pasur eksploziv pastaj teknikët duhet ta gjejnë. Kamerat e sigurisë, Voltana Ademi ka dhënë një koncension dhe këto kamera nuk funksionojnë kur i duhen qytetarëve. I referoheni presionit që kam postuar për Ilir Beqjan, por mendoj se ai është i fundit që mund ta mendoj se mund ta ketë bërë edhe pse unë them se ai është e keqja e Shkodrës dhe e Shqipërisë. I bëj thirrje policisë dhe prokurorisë që ta hetojnë të plotë sepse deri më tani nuk po e bëjnë punën si duhet. Mua nuk do të më ndalin çfarë do që të bëjnë, mua më ndal vetëm vdekja. Vetëm nëse dikush me qëllon me pushkë mund të më ndalë, ndryshe absolutisht që jo. Kam vendosur të jetoj në Shqipëri dhe do vijoj të bëj punën time si anëtar i këshillit bashkiak”, u shpreh ai.
Kujtojmë që ngjarja është shënuar dy ditë më parë në një prej pallateve në qendër të qytetit të Shkodrës. Policia njoftoi paraprakisht se djegia e lokaleve dyshohet të ketë ardhur si pasojë e plasjes së një bombole gazi. Por kjo pistë është hedhur poshtë nga vetë pronari i një prej lokaleve, i cili ka thënë se aty nuk ka patur asnjë bombol. Dyshimet e tij janë se, ngjarja është shkaktuar si pasojë e ndonjë shpërthimi me eksploziv, pasi kolonat mbajtëse të ashensorit janë dëmtuar.



