Një operacion i shpejtë i Policisë së Pogradecit, ka çuar në arrestimin e dy personave që dyshohen për tentativë të rrëmbimit dhe dhunë ndaj një 17-vjeçari.
Pas njoftimit për një konflikt në lagjen nr. 3 të Pogradecit, shërbimet e Komisariatit të Policisë u nisën menjëherë drejt vendngjarjes për parandalimin e përshkallëzimit të situatës dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u identifikuan dhe u ndaluan shtetasit M. Xh., 33 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, banues në Pogradec, të cilët ishin larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Prrenjas.
Hetimet e para tregojnë se dy të arrestuarit kishin tentuar të merrnin me forcë 17-vjeçarin, ndaj të cilit ushtruan dhunë fizike dhe e dëmtuan me thikë. Viktima mori mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në përfundim të veprimeve, të arrestuarit akuzohen për veprat penale: “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë; “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.



