
SPAK mbyll hetimin dhe çon në gjyq 7 të pandehur në lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Bëhet fjalë për shtetasit Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit”.
Po ashtu dërgimi para gjyqit është kërkuar edhe për shtetasit; Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të akuzuar edhe këta për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit”. Ndërkohë, SPAK ka pushuar akuzat për Bajram Hajrin, Leonard Hajrin, Elton Hajrin, Aleks Doçajn dhe Ardian Doçaj, pasi nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprat penale përkatëse.
Nga hetimi rezulton se të pandehurit Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz, Shqipëri.
Kjo, pasi sipas tyre, shtetasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.
Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer në Shqipëri, në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Ndërkohë hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave në kuadër të një hetimi të plotë e të gjithanshëm për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.



