
Nazmi Shahini, i njohur edhe me emrin "Drazhi", është vetëdorëzuar në polici, pasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Shahini dyshohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Ai ishte objekt i një mase kërkimi në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga SPAK për këtë çështje. Grupi ku ai bënte pjesë ka vepruar gjatë viteve 2020-2021 dhe ka trafikuar në total 8.1 ton drogë, si kokainë e kanabis.
Droga transportohej nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku drejt Italisë, Belgjikës, Holandës, Spanjës dhe shteteve të tjera evropiane.
Vetëdorëzimi i tij pritet të pasohet nga procedurat ligjore përkatëse, ndërsa hetimet lidhur me aktivitetin e dyshuar kriminal vijojnë.



