
Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan një 32-vjeçar në Sukth, pas një aksidenti rrugor të shkaktuar nga drejtimi i automjetit në gjendje të dehur.
Nga kontrollet rezultoi se ai ishte shpallur në kërkim për veprën penale të mashtrimit me TVSH-në.
Hetimet tregojnë se, rreth tre vite më parë, i arrestuari kishte lëshuar fatura fiktive përmes subjektit tregtar që administronte, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Si pasojë e këtij aktiviteti të paligjshëm, subjekti i tij dhe 12 subjekte të tjera i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej 300 milionë lekësh, duke shmangur pagesën e TVSH-së.
Në vijim, iu bë test alkooli, drejtuesit të automjetit, shtetasit A. D., 32 vjeç, rezultat i të cilit, herën e dyte ishte 1.29 mg/l.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 32-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, sepse Gjykata e Tiranës, në vitin 2024, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Krijimi i skemave të mashtrimit lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Në vitin 2022, ky shtetas ka administruar një subjekt, për llogari të të cilit janë lëshuar fatura fiktive, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Nga aksidenti u dëmtua lehtë, pasagjeri në automjetin që drejtonte 32-vjeçari.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. D. u vu në pranga dhe do t’i dorëzohet Policisë së Tiranës, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Ndërkaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë.



