Avokati Alban Duraj, për draftin për amnistinë penale, thotë se parashikon që maksimumi i dënimit për përfituesit është deri në 5 vite burg.
Nga studio e “MCN Live”, ai shprehu shqetësim që nuk është ftuar opozita dhe grupet e interesit që të japin mendimet e tyre për draftin, edhe pse mazhoranca mund t’i bëjë votat.
Sipas tij, nëse kjo amnisti është kopje e asaj të vitit të kaluar, atëherë është një amnisti e metë.
Duke qenë se Kodi Penal i lë në dorë organit të akuzës, për vendosjen e masës së sigurimit, Ministria e Drejtësisë duhet të detajojë përcaktimet e qarta, që për veprat 5-7 vite burg, të mos ketë masë sigurimi personal, të paktën “arrest me burg” se për fat të keq kërkesat e prokurorisë gjykata i miraton.
Më shqetëson fakti pse nuk është ftuar opozita parlamentare dhe grupe të tjera të interesit që mund të japin mendimet e tyre për draftin, që edhe pse votat mund t’i bëjë mazhoranca, por është çështje më e gjerë e interesit të shoqërisë. Nëse kemi copy paste si e vitit 2024, kjo është amnisti me plotë të meta, për ata që iu kanë ngelur 1-2 vite burg.
Më shqetëson fakti që është hequr dispozita sa i takon protestuesve, mendoj se mazhoranca e ka bërë pasi këto muajt e fundit ka protesta të shumta të qytetarëve që nuk janë dakord për vendimmarrje të caktuara të qeverisë apo për çështje të caktuara për të cilat kjo qeveri po hetohet. Kemi dhe çështjen e AKSHI-t dhe kjo mund t’i frikësojë qytetarët që të kërkojnë një të drejtë kushtetuese.



