Një 49-vjeçar është arrestuar pas një operacioni të zhvilluar nga njësia “Fast Albania”. Sipas policisë, operacioni është koduar “Dangerous”, ndërsa i arrestuari konsiderohet i shumëkërkuar për krime kundër personit.
“Operacioni nga Fast Albania, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë. Kapet e vihet në pranga 49-vjeçari nga Tirana, i shumëkërkuar në Itali për vrasje të punonjësve të Policisë. Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Njësia Speciale “Fast Albania”, bazuar dhe në inteligjencën informative, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Dangerous’”, njofton policia.
Në pranga është vënë shtetasi Ilir Paja, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person shumë i kërkuar nga autoritetet Italiane pasi Gjykata e Apelit Milano/Itali, e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.
Lokalizimi dhe kapja e 49-vjeçarit u bë në Laprakë nga Njësia Speciale “Fast Albania”, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë. Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët italianë vijon punën për plotësimin e dokumentacionit me qëllim ekstradmin e 49-vjeçarit drejt Italisë.



