
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të dal para trupit gjykues me datën 19 qershor, datë kur do të nisë edhe procesi gjyqësor në ngarkim të tij.
Vendimi për datën e nisjes së gjyqit është marrë sot, ndërkohë që më heret është bërë edhe përzgjedhja e gjyqtarëve. Tre gjyqtarët që do të shqyrtojnë dosjen penale të Tahirit janë Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.
Procesi ndaj Tahirit do të zhvillohet me procedurë të përshpejtuar. Ish-ministri kërkoi gjykim të shkurtuar, pa pranuar akuzën, pasi këmbëngul se është i pafajshëm. Bashkë me të, të pandehur janë edhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode.
Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Më 26 mars, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të nisë gjykimin ndaj ish-ministrit duke mos pranuar pushimin e çështjes.



