Kreu i OSHE-së, Ardian Çela, ka dëshmuar sot në gjykatën penale të Tiranës me të pandehurin e drejtësisë për mashtrim me rastin CEZ-DIA, Kastriot Ismailaj. Çela tha se nuk e ka njohur kurrë më pare Ismailajn dhe prej dy herësh e sheh në gjyq.
Çela ka mohuar që kompania që ai administron OSHE të ketë paguar në formë shpërblimi apo të ketë premtuar shpërblime për persona të ndryshëm për të dëshmuar kundër kompanisë DIA në arbitrazhin e Vjenës.
Ai ka shpjeguar se më 3 dhjetor 2015 në zyrën e tij ai është takuar me përfaqësuesin ligjor të DIA-s, shtetasen Rebecha Gaskin, e cila sipas Çelës i kishte kërkuar të nënshkruanin marrëveshjen për të mbyllur mes DIA dhe OSHE konfliktin me pajtim pasi DIA e përfaqësuar zyrtarisht dhe ligjërisht nga Gaskin nuk kishte asnjë pretendim ndaj OSHE. Ndërkohë mbrojtja e Ismailajt kërkoi nga gjykata që në cilësinë e dëshmitarit të shoqërohet nga policia edhe ministry i Energjitikës, Damian Gjiknuri, pasi prej më shumë se 4 seancash ai nuk paraqitet për të dëshmuar.



