
Përmbytjet kanë goditur rëndë dy fshatra të qarkut të Beratit, Çifligun dhe Arrëzin, ku uji ka depërtuar në banesa deri në një metër lartësi, duke shkatërruar plotësisht orenditë shtëpiake.
Situata paraqitet alarmante, pasi shumë banorë nuk kanë ku të strehohen. Edhe familjarët e tyre të afërt kanë pësuar përmbytje, duke e bërë të pamundur sistemimin e tyre.
Sipas banorëve, rreth 70% e shtëpive në Çiflig janë përmbytur si pasojë e mosfunksionimit të kanaleve kulluese. Çdo banesë ka një kanal përpara, i cili, në vend që të largonte ujin, e ka bërë atë të dalë nga shtrati dhe të hyjë nëpër dhoma.
Edhe në fshatin Arrëz të bashkisë Dimal, lumi Osum ka dalë nga shtrati, duke përmbytur banesa dhe toka bujqësore. Banorët thonë se kjo është hera e parë që përballen me një përmbytje të tillë, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme.
Në të dy fshatrat, Çiflig dhe Arrëz, dëmet paraprakisht përllogariten në rreth 110 banesa të përmbytura dhe 500 hektarë tokë bujqësore të dëmtuar nga dalja e lumit Osum nga shtrati.



