
SPAK ka përfunduar sot hetimet dhe ka dërguar ne gjykatë dosjen e 137 kg kokainë të sekuestruar një vit më parë në Durrës, dhe ka marrë në cilësinë e të pandehurit tre persona. Përkatësisht Gentian Malindi, Altin Myslihaka dhe Adrian Bega akuzohen se janë bashkëautor në trafikimin e lëndës narkotike që vinte nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë.
Kokaina e sekuestruar në 4 kontenierë, ka kaluar transit në portin e Pireut në Greqi. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion në njoftimin e fundit ka bërë me dije se mbi të pandehurin Gentian Malin rëndojnë tre akuza. “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si krijues, organizator dhe drejtues dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, shkruhet në njoftim. Mbi Altin Myslihakën dhe Adrian Begën rëndojnë akuzat e trafikimit të narkotikëve por jo vetëm. “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si pjesëmarrës dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, njofton SPAK.



