
Policia e Elbasanit ka arrestuar pronarin e një lokali në Cërrik pasi lejonte që në biznesin e tij të zhvilloheshin lojërat e fatit. Në pranga ka rënë 52-vjeçari Jani Allko.
Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit D. M., Sh. B., F. K., T. K., O. K., M. K., B. T., K. B. dhe E. K., klientë në lokalin e shtetasit J. A., të cilët u kapën në flagrancë duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një tavolinë pokeri, zare dhe sende të tjera të paligjshme që shërbejnë për lojërat e fatit, si dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin" dhe "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara".



