
Përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë zhvilluar takim me zyrtarët amerikanë të Antidrogës (DEA), gjatë vizitës së tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takim u fol për bashkëpunim më efektiv, shkëmbim eksperiencash të informacionit me qëllim rritjen e efektivitetit të goditjes së grupeve kriminale që trafikojnë substanca narkotike.
“SPAK është i vendosur që të garantojë ndëshkim ndaj kujtdo dhe ndaj çdo pasurie me prejardhje nga trafiqet e drogës!”, thuhet në deklaratë.
Prej datës 2 gusht, drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, së bashku me prokurorin e posaçëm, Vladimir Mara dhe Drejtoreshën e BKH, Aida Veizaj janë në vizitë zyrtare në Washington.
Ata do takohen me zyrtarë të Departamentit Shtetit, Departamentit të Drejtësisë, FBI, DEA dhe institucione të tjera të zbatimit të ligjit në SHBA.
Qëllimi i vizitës është prezantimi i SPAK dhe arritjeve të tij, si dhe forcimi i bashkëpunimit të SPAK me institucionet e zbatimit të ligjit në SHBA.



