
Maqedonia e Veriut sot pranoi 24.00 doza të vaksinave AstraZeneca, që paraqet dërgesën e parë më të madhe të vaksinave kundër COVID-19. Vaksinat janë pjesë e programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që synon të sigurojë shpërndarje të drejtë të vaksinave në të gjithë botën.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se imunizimi me këtë doza të vaksinave do të fillojë të mërkurën, që njëherësh shënon edhe zgjerimin e fushatës së vaksinimit në Maqedoni të Veriut, pasi që deri më tani kryesisht janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë.
“Me këtë dërgesë, do të imunizohen të sëmurët kronikë dhe personat mbi 75 vjeç. Vaksinimi do të kryhet në qendrat shëndetësore. Në muajin prill pritet të arrijë dhe pjesa tjerë prej 76.000 dozave të vaksinave AstraZeneca”, ka deklaruar ministri Filipçe, i cili doli në aeroportin e Shkupit për të pritur mbërritjen e kontingjentit të vaksinave.
Filipçe tha se së shpejti priten të vijnë edhe doza shtesë, dhe se pritet të nis vaksinimi masiv i popullatës që sipas tij do të realizohet në sallën sportive “Boris Trajkovski”.
“Kemi lajme të mira edhe nga Bashkimi Evropian, në muajin prill duhet të arrijnë edhe vaksina tjera nga Kina dhe të tjerët që do të thotë se të gjithë të paraqiturit, sipas kategorive të rrezikuara dhe kategorive me prioritet do të thirren përmes këtij sistemi kurse vend për vaksinim masiv do të jetë salla “Boris Trajkovski”, tha Filipçe.



