
Një 33-vjeçare ka rënë në prangat e policisë në Tiranë, pasi duke u hequr si juriste ka mashtruar një qytetar në Tepelenë duke i marrë shumën prej 50 000 eurosh për lirimin e një të burgosuri të dënuar për vrasje. Duke iu referuar policisë, shtetasja me iniciale, A.L., lindur në Përmet dh banuese në Tiranë, është prezantuar si juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë.
“Pas gati një vit hetimesh proaktive u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të ushtruar nga kjo shtetase. Kjo shtetase ka mashtruar shtetasin B. Z., me banim në Tepelenë, duke i marrë 50 000 euro, me pretendimin se ishte juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte pranë trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe në Gjykatën e Lartë pët të nxjerrë nga burgu shtetasin A. M., i dënuar me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese që kishte kryer në Memaliaj, në vitin 2015, i cili është duke vuajtur dënimin në IEVP Bënçë, në Tepelenë”, raportojnë uniformat blu.
Mbi shtetasen A.L. rëndon akuza për veprën penale “Mashtrim me pasoja të rënda”. Për veprime të mëtejshme hetimore, materialet i kaluan Prokurosisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.



