Një person i cili vidhte para dhe sende personale nga makinat e parkuara, pasi iu thyente xhamat, është vënë në prangat e efektivëve të policisë së komisariatit nr.6 në kryeqytet.
Në kuadër të operacionit të koduar “The End”, u arrestua shtetasi E. N., 29 vjeç, banues në Tepelenë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 29-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, ka vjedhur sende personale në 6 automjet që iu ka thyer xhamat, në një vendparkim, në Astir.
Gjithashtu, gjatë 48 orëve të fundit, në lagje të ndryshme të Tiranës, ka vjedhur sende të ndryshme në 6 automjete, pasi ka thyer xhamat e tyre, me sende të forta.
Aktualisht vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer i dyshuari.



