Policia Kufitare e Vlorës dhe Delta Force i dhanë ndihmë 2 shtetasve që kishin mbetur në det pasi e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues skaf që kishte pësuar defekt.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare të cilat iu shkuan në ndihmë dy shtetasve të cilët ndodheshin 3 milje përballë gjirit të Bristanit, Karaburun.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar me mjetet e Policisë Kufitare, mjetin lundrues skaf, së bashku me shtetasit në bord, në SPK Triport.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues nuk dispononte dokumentacionin e duhur në bordin e mjetit, prandaj ai u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë.
Gjithashtu, nga Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT u ushtrua kontroll në bord, por nuk u gjetën sende të kundërligjshme.



