
Një person është vënë në prangat e policisë së Tiranës dhe një tjetër është shpallur në kërkim të akuzuar për ndërtim pa leje pranë një lumi, pengim të rrjedhës së tij dhe ndotje të mjedisit.
Efektivët e komisariatit Nr. 1, në vijim të kontrolleve në terren dhe punës hetimore për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, kanë konstatuar në fshatin Mushqeta, afër lumit Zhullima, një objekt të ndërtuar pa leje dhe inerte të hedhura pranë lumit.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi S. Ç., 52 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi K. G., 47 vjeç. Punohet për kapjen e tij.
Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”.



