
Si rezultat i masave të shtuara përgjatë fundjavës, Policia e Shetit bën të ditur se janë arrestuar në flagrancë 42 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 18 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 24 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Po ashtu, Policia e Shtetit njofton se janë pezulluar 219 leje drejtimi, nga të cilat 123 për shpejtësi mbi normat e lejuara (deri në dyfishin e normës së lejuar), 65 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 31 për qarkullim në sens të kundërt.
“Gjatë kontrolleve parandaluese, krahas sanksioneve administrative të vendosurave ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, Policia Rrugore, përgjatë fundjavës ka goditur 4 raste të “korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, konkretisht 2 raste janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës dhe 2 nga Njësia për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë”, informoi Policia.
Shtetasi H. Sh., 30 vjeç, duke drejtuar tip “Porche”, në rrugën “Ded Gjo Luli”, iu ka ofruar para punonjësve të Policisë Rrugore, për shmangien e bërjes së testit të alkoolit;
Shtetasi Z. F., 54 vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në rrugën “Jordan Misja”, iu ka ofruar para punonjësve të Policisë Rrugore, për të shmangur masën administrative, pasi nuk kishte vendosur rripin e sigurimit;
D. P., 39 vjeç, banues në Mitroc, Kosovë, i cili është konstatuar nga shërbimet e Policisë të Njësinë së Autostradës Milot-Morinë, duke kryer manovra të gabuara me një mjet kamion tip “Scania”, në rrugën Milot-Morinë, iu ka ofruar para shërbimeve të Policisë, për të shmangur masën administrative;
Në segmentin rrugor Skurraj – Milot është konstatuar drejtuesi i një mjeti autobus, i cili po qarkullonte pa rrip sigurimi. Pas ndalimit, drejtuesi i autobusit, shtetasi R. S. iu ka ofruar para shërbimeve të Policisë Rrugore, për të shmangur masën administrative.
Policia thotë, se si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të adresuara në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, përgjatë fundjavës janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 4795 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe motomjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe informon ata se në çdo aks rrugor nacional dhe qendra urbane në 24/7 ka radarë, patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore me mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike.



