Për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur parametrat e sigurisë në rrugë është vënë në dispozicion flota e re e automjeteve të Policisë Rrugore. Ajo përmban bazën logjistike bashkëkohore, makinën inteligjente dhe radarët automatikë në monitorim të qarkullimit rrugor.
Prej një jave, në rrugët e vendit, këto automjete kanë skanuar shpejtësi deri në dyfish mbi normën e lejuar. Shpejtësitë më të mëdha janë konstatuar gjatë mbrëmjeve dhe mëngjeseve. Si pasojë, këtë javë janë pezulluar 683 leje drejtimi dhe janë vendosur 1610 masa administrative.
Gjithashtu janë ndaluar 233 automjete të shpallura “Alert” të evidentuara nga makina inteligjente. Drejtuesve të këtyre mjeteve u është pezulluar leja e drejtimit, si dhe janë ndëshkuar me masat administrative përkatëse.
Janë ndëshkuar 22 drejtues mjetesh për gara shpejtësie dhe 431 të tjerë për parakalime të rrezikshme në rrugë. Nga përpunimi i të dhënave ka rezultuar se drejtuesit nuk kishin vendosur rripin e sigurimit dhe/ose kishin përdorur edhe celularin gjatë drejtimit të automjeteve.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha akset rrugore, nga Morina në Sarandë janë në monitorim 24/7 nga Policia Rrugore.



